APP LAUNCH · 2026-10-07
← BLOG
UDHËZUES / VËSHTIRËSIA

E Lehtë apo Ekspert? Çka do të thotë vështirësia e shtigjeve

FIG. 01 · UDHËZUES / VËSHTIRËSIA
Shkalla e vështirësisë së shtigjeve, prej 1 deri në 5
2026-09-283 MIN LEXIM

Çdo shteg në Overland Kosova ka një nivel prej 1 deri në 5. Ja çka do të thotë secili: terreni, vetura, gomat, ngritja dhe përvoja që të duhet.

Çdo shteg në aplikacion ka një shkallë prej 1 deri në 5. Qëllimi është i thjeshtë: me e ditë para se me u nis a është shtegu për veturën tënde dhe për përvojën tënde. Këtu e shpjegojmë çka kontrollojmë për secilin nivel.

Rregulli i parë

Vlerësimi është për kushte të thata. Pas shiut, me baltë ose borë, llogarite shtegun një nivel ma të vështirë.

Shkalla me një shikim

NiveliTerreniVeturaPërvoja
1 · E LehtëRrugë zhavorri e makadami, pjerrtësi të butaÇdo veturë pak e ngritur, SUVPa përvojë offroad
2 · E MesmeGropa, kanale uji, gurë të vegjël, pjerrtësi ma të fortaSUV ose 4x4 me goma A/TPak përvojë
3 · E VështirëGurë të mëdhenj, baltë, kalime përroi, pjerrtësi anësore4x4 me marsh të ulët, veturë e ngriturPërvojë e mirë
4 · EkspertShkallë guri, ngjitje të forta, baltë e thellë, degë4x4 i modifikuar: goma M/T, ngritje, mbrojtje poshtëShumë përvojë, gjithmonë në grup
5 · EkstremeTerren teknik, rrezik dëmtimi i veturës4x4 i përgatitur për garë: bllokues, winchVetëm për ekspertë, me spotter

1 · E Lehtë

Rrugë malore të hapura, zhavorr e makadam. Mundesh me i ngas me çdo SUV dhe shpesh edhe me veturë të zakonshme pak të ngritur, kur është thatë. Ideale për familje dhe për daljen e parë.

2 · E Mesme

Rruga fillon me u prish: gropa, kanale uji që e presin shtegun, gurë të vegjël dhe pjerrtësi ma të gjata. Të duhet veturë e ngritur mirë dhe goma A/T (all-terrain). Me 4x4 është ma e qetë, por me kujdes mundesh edhe me SUV të mirë.

3 · E Vështirë

Këtu fillon offroadi i vërtetë. Gurë ma të mëdhenj, baltë, kalime përroi dhe pjesë ku vetura anon anash. Të duhet 4x4 me marsh të ulët (low range) dhe veturë e ngritur. Ka vend ku duhet me dal prej veture e me e kqyr rrugën këmbë para se me vazhdu.

  • Ul presionin e gomave për tërheqje ma të mirë (rrisi prapë para asfaltit)
  • Mos shko vetëm: minimum dy vetura
  • Merre me vete setin bazë të tërheqjes: litar, shakëll, lopatë

4 · Ekspert

Shkallë guri, ngjitje e zbritje të forta, baltë e thellë dhe shtigje të mbuluara me degë. Vetura duhet të jetë e përgatitur: goma M/T (mud-terrain), ngritje (lift), mbrojtje poshtë (skid plates) dhe pika tërheqjeje të certifikuara. Rrezik real për me mbet, kështu që pajisjet e tërheqjes janë të detyrueshme.

5 · Ekstreme

Terren teknik ku dëmtimi i veturës është i mundshëm edhe për shoferë me përvojë. Bllokues diferenciali, winch dhe një spotter (dikush jashtë që të drejton) janë standard. Nëse po pyet a je gati, ende nuk je, dhe kjo është në rregull.

Çka tjetër e ndryshon vështirësinë?

  • Moti: dy ditë shi mundet me e kthy një shteg të mesëm në të vështirë.
  • Hija: pjesët nën pemë mbajnë baltë edhe në korrik. Lexo si ndryshon terreni i Kosovës me stinë.
  • Vegjetacioni: shtigjet që s’mirëmbahen shpesh mbyllen me shkurre e degë.
  • Ora e ditës: mos e nis një shteg Ekspert vonë pasdite.
Në aplikacion

Çdo shteg në listën e shtigjeve e ka nivelin, gjatësinë, lartësinë dhe raportet e fundit për kushtet prej shoferëve që sapo kanë qenë aty.

Pyetje të shpeshta

A mundem me e ngas një shteg të mesëm me SUV?

Shpesh po, kur është thatë dhe nëse vetura është e ngritur mirë e ke goma A/T. Pas shiut, llogarite një nivel ma të vështirë.

Çka do të thotë vetura e ngritur?

Largësia prej tokës deri te pika ma e ulët e veturës (ngritja). Sa ma e madhe, aq ma lehtë kalon mbi gurë e gropa pa e prek poshtë.

A duhet me qenë në grup?

Për shtigjet E Vështirë e ma lart, po: minimum dy vetura. Në mal shpesh s’ka sinjal për me thirr ndihmë.

KONTROLLUAR PËR HERË TË FUNDIT: 2026-09-28

APLIKACIONI OVERLAND KOSOVA

GATI PËR TË DALË?

Harta offline, shtigje dhe kampe për krejt Kosovën.

SHKARKO FALASGOOGLE PLAYTEST MODE
SHKARKO FALASAPP STORESE SHPEJTI