Në Kosovë shtegu ndryshon shpejt: baltë në hije edhe në verë të thatë, përrenj, degë e shkurre, borë e hershme. Si me e lexu terrenin para se me u nis.
Ishte një korrik i thatë. Kishte javë pa shi, rrugët e fushës ishin pluhur. E hymë në shteg dhe, pas kthesës së parë nën pemë, vetura u fut deri te gomat në baltë. Hija e dendur, një përrua i vogël që kalonte nëpër shteg dhe toka që s’thahet kurrë: kjo është Kosova. Moti në qytet s’të tregon asgjë për terrenin në mal.
Pse terreni ndryshon aq shpejt?
- Hija: pyjet e dendura e mbajnë lagështinë. Pjesët nën pemë mund të jenë baltë edhe kur krejt pjesa tjetër është e thatë.
- Ujërat: përrenjtë e vegjël dhe burimet kalojnë nëpër shtigje dhe e zbusin tokën përreth. Pas shiut bëhen përrenj të vërtetë.
- Mirëmbajtja: shumë shtigje s’mirëmbahen rregullisht. Degët, shkurret dhe pemët e rrëzuara e ngushtojnë rrugën nga viti në vit.
- Lartësia: prej luginave rreth 250 metra deri mbi 2.000 metra, moti mund të jetë krejt tjetër në të njëjtën ditë.
- Shiu: një shteg që kalohet kur është thatë mund të bëhet i pakalueshëm pas dy ditësh shi.
Stinët, shkurt
| Stina | Çka me pritë |
|---|---|
| Pranvera | Bora shkrihet në lartësi, përrenjtë janë plot, toka e butë. Shumë baltë në shtigjet e larta. |
| Vera | Sezoni kryesor. Terreni i hapur thahet, por pjesët me hije mbeten me baltë. Stuhitë pasdite janë të shpeshta në mal. |
| Vjeshta | Ngjyrat ma të bukura. Shirat e vjeshtës e rrisin baltën; qafat e larta mbyllen herët, shpesh disa javë para se ta presësh. |
| Dimri | Borë në lartësi. Goma dimërore ose zinxhirë janë të detyrueshme nëntor deri mars. Shumica e shtigjeve të larta janë të mbyllura. |
Dritarja e sezonit për terrenin e lartë zakonisht hapet në qershor dhe mbyllet deri në nëntor.
Si me e lexu terrenin para se me u nis
- Kontrollo raportet e fundit për kushtet në aplikacion: çka kanë gjetur shoferët që sapo kanë qenë aty.
- Shiko motin e tre ditëve të fundit, jo vetëm të sotmin.
- Llogarite shtegun një nivel ma të vështirë pas shiut. Shih nivelet e vështirësisë.
- Nise herët. Kthimi në errësirë nëpër baltë është gabimi ma i shpeshtë.
Në shteg: baltë, ujë dhe degë
- Para baltës: dil e kqyre këmbë. Nëse s’e di sa e thellë është, mos hy.
- Në baltë: gaz i qëndrueshëm, jo rrotullim i gomave. Gomat që rrotullohen vetëm hapin gropa ma të thella.
- Kalimi i ujit: kalo vetëm aty ku shtegu e kalon përroin. Shiko thellësinë me këmbë ose me shkop para veturës.
- Degët: një sharrë e vogël palosëse ndihmon me heq degët e rrëzuara. Mos i pre pemët e gjalla.
- Qëndro në shteg: mos e hap rrugën anash baltës. Kjo e zgjeron shtegun dhe e dëmton malin.
Lopatë, dërrasa tërheqjeje, litar dhe një veturë e dytë. Lista e plotë: çka të duhet për shtigjet offroad.
Pyetje të shpeshta
Kur është koha ma e mirë për offroad në Kosovë?
Për terrenin e lartë, prej qershorit deri në tetor ose nëntor. Vera është sezoni kryesor, vjeshta ka ngjyrat ma të bukura por qafat e larta mbyllen herët.
Pse ka baltë në shteg kur s’ka ra shi?
Hija e pyjeve, burimet dhe përrenjtë e vegjël e mbajnë tokën të lagësht, edhe në javë të thata vere.
A janë shtigjet e hapura në dimër?
Shumica e shtigjeve të larta mbyllen me borë. Goma dimërore ose zinxhirë janë të detyrueshme nëntor deri mars.
KONTROLLUAR PËR HERË TË FUNDIT: 2026-09-28
